Bylbyl Sokoli, një nga emrat më të njohur në fushën e sportit dhe arsimit në Kosovë, është kandidat për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje. Me një karrierë të gjatë akademike, sportive dhe institucionale, ai synon që përvojën e tij ta vërë në shërbim të zhvillimit të sportit, arsimit dhe rinisë në vend.
I lindur më 19 dhjetor 1957 në Rahovec dhe me banim në Prishtinë, Sokoli ka ndërtuar një karrierë të suksesshme profesionale dhe akademike në fushën e sportit dhe edukimit fizik. Ai mban titullin doktor i shkencave të edukimit fizik dhe sportit, me fokus në antropometrinë dhe aftësitë motorike për përmirësimin e performancës sportive.
Përveç angazhimit akademik, Sokoli ka një përvojë të pasur edhe në futboll. Ai është trajner me licencë PRO dhe ka udhëhequr skuadra në Superligën e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka marrë pjesë edhe në garat ndërkombëtare të UEFA Cup. Gjithashtu, ai ka ushtruar detyrën e përzgjedhësit të Kosovës gjatë periudhës së para-pavarësisë së sportit, në vitet 1996-1999 dhe më pas në periudhën 2002-2005.
Sokoli ka qenë gjithashtu pjesë e jetës politike dhe institucionale të vendit. Në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës, ai ka shërbyer si anëtar i Komisionit për Kulturë, Turizëm dhe Sport, duke u angazhuar në çështje që lidhen me zhvillimin e këtyre sektorëve.
Si kandidat për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Bylbyl Sokoli thekson se synon të fuqizojë sportin, arsimin dhe rininë në Kosovë përmes politikave që forcojnë kapacitetet zhvillimore dhe krijojnë më shumë mundësi për gjeneratat e reja. Ai konsideron se përvoja e tij shumëvjeçare në akademi, sport dhe institucione publike mund të shërbejë si bazë për avancimin e politikave që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre fushave.