Ministria e Shëndetësisë vlerëson se zotimet e Qeverisë së Kosovës për shëndetësinë publike po jetësohen edhe me buxhetin e vitit 2023, pasi ky është buxhetimi më i madh i bërë ndonjëherë për sektorin e shëndetësisë në vendin tonë.
MSh nëpërmejt një komunikate thekson se janë duke punuar vit pas viti që ta plotësojnë synimin e tyre që buxheti i shëndetësisë të kalojë 300 milionë euro.
Ngritja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm profesional, sipas MSh-së, është synim i cili do të realizohet përmes këtij buxheti për specializime, subspecializime, hulumtime shkencore e sjellje të ekspertizës nga vendet e tjera.
“Është buxhetuar punësimi i profesionistëve të rinj. Ky plan do të ecë bashkë me ndryshimin rrënjësor të programit të specializimeve dhe krahas vlerësimit të nevojave për burime njerëzore dhe shpërndarjen e tyre në nivelin dytësor e tretësor. Ndërsa jemi siguruar që të buxhetohet plotësimi i të gjitha nevojave në nivelin parësor ashtu që të mos ketë më asnjë Ambulancë të Mjekësisë Familjare të mbyllur pse nuk ka mjekë apo Qendër të mjekësisë familjare që nuk ofron shërbime të plota. Ndaj e kemi rritur buxhetin për Grantin Specifik për shëndetësi për kujdesin parësor shëndetësor, duke shtuar edhe 300 pozita të reja për profesionistë shëndetësorë. Në kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor do të ketë edhe 100 pozita të reja shtesë për profesionistë shëndetësor të cilat duhet të shfrytëzohen për sektorët deficitarë dhe për të plotësuar ato shërbime mjekësore që janë në mungesë për shkak të burimeve njerëzore. 42 pozita të reja janë buxhetuar për inspektorët shëndetësor dhe farmaceutik, për të avancuar në synimin tonë në mbikëqyrjen e sigurimit të cilësisë e shërbimeve shëndetësore. Kemi planifikuar për herë të parë në buxhetin e shtetit ndarjen e pakove të veçanta për nënat dhe fëmijët në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë. Po ashtu për herë të parë është buxhetuar pakoja mbështetëse për pacientet në Klinikën e Onkologjisë të prekur nga kanceri. Po ashtu të buxhetuara janë dhe një seri aktivitetesh e veprimtarish që parashikohen të ndërhyjnë në transformimin e gjendjes dhe rritjen e cilësisë së vendimeve e shërbimeve edhe në AKPMM, IKShPK dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Në buxhetin 2023 janë të planifikuara dhe mbështetja për mjekët që institucionet shëndetësore do të propozojnë për të sjellë nga mërgata, shqiptarë të rajonit dhe të huaj”, thuhet në njoftim.