Bullgaria i bashkohet Aleancës Evropiane të Baterive
Lexohet për: 2 min.
BTA - IBA Executive Director Bogdan Bogdanov
1 vit më parë
Linku u kopjua

“Ne besojmë se Bullgaria duhet të ketë vendin e saj si një partner kyç në industri të rëndësishme. Ne besojmë se sot po hedhim një themel të fortë dhe me përpjekje të përbashkëta. Në vitet e ardhshme Bullgaria do të bëhet lider evropian në prodhimin e teknologjive të elektrolëvizshmërisë, por do të jemi edhe lider evropian në prodhimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë”, ka thënë Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë InvestBulgaria (IBA), Bogdan Bogdanov, në një ceremoni zyrtare nënshkrimi të një deklarate për anëtarësimin e Bullgarisë në Aleancën Evropiane të Baterive.

Ai ka shtuar se IBA nuk është thjesht një strukturë administrative, por një institucion i rëndësishëm shtetëror dhe një agjent i politikave kryesore ekonomike në Bullgari.

Aleanca bashkon mbi 800 partnerë industrialë dhe inovativë në të gjithë zinxhirin e furnizimit, ka thënë Bogdanov, duke shpjeguar se Bullgaria synon të përmirësojë konkurrencën e saj në këtë sektor, por edhe të Evropës në tërësi.

"Industria e automobilave në Bullgari është një nga ato me rritje më të shpejtë, pasi 90% e makinave në Evropë përdorin komponentë kritikë, sensorë të prodhuar në Bullgari, megjithatë potenciali i industrisë bullgare të automobilave nuk është shfaqur ende. Ne parashikojmë që fokusi kryesor do të jetë teknologjia e automjeteve elektrike, duke përfshirë bateritë, invertorët, elektronikën e energjisë, furnizimin me energji elektrike”, ka thënë Bogdanov.

Ai ka shtuar se si pjesë e këtij partneriteti, në Bullgari do të ngrihen qendra trajnimi dhe ritrajnimi për ekspertët për t'u kujdesur për industrinë e baterive, e cila është duke u rritur me shpejtësi në këtë vend. Për të përshpejtuar transferimin e teknologjisë, do të punohet gjithashtu me universitetet kryesore bullgare, institutet e inovacionit, shoqatat e industries dhe partnerët.

Komisionerja evropiane për Inovacion, Kërkim, Kulturë, Arsim, dhe Rini, Mariya Gabriel ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse do të forcojë rolin dhe pjesëmarrjen e Bullgarisë në Aleancë. Sipas saj, pranimi i Bullgarisë nënkupton 440 aktorë të rinj në fushën e inovacionit./BTA-KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025