Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli tha se pavarësisht vështirësive me të cilat janë ballafaquar po arrijnë të përmbyllin me sukses këtë vit duke mirëmbajtur dhe siguruar zbatimin e objektivave të tyre si dhe duke siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm.
Këtë, ai e tha në konferecën e organizuar me ç’rast prezantoi punën një vjeçare të këtij institucioni.
Ai theksoi se remitencat e pranuara deri në fund të vitit 2023 pritet të arrijnë vlerën 1.3 miliardë euro, për çka shtoi se BQK parasheh që në vitin 2024 remitencat të rriten prej 6.0 për qind.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismajli potencoi se kreditë deri në nëntor të vitit 2023 kanë arritur shumën prej afro 5 miliardë euro, duke shënuar rritje rreth 600 milionë euro, krahasuar me vitin e kaluar.
Ai shtoi se sektori i ekonomive familjare përbëjnë 37 për qind të kredive ne sektorin bankar.
Ndërsa, norma mesatare e interesit ne kredi në sektorin bankar është 6.39 për qind.
Ismajli theksoi se numri i institucioneve aktive që rregullohen, licensohen dhe mbikqyren nga BQK është 136.
Ai shtoi se asetet e sektorit bankar deri në nëntor të vitit 2023 kanë arritur shumën mbi 7 miliardë euro.
Lidhur me atë se çfarë ka bërë BQK-ja në përmirësimin e situatës me monedhën 2 euroshe, tha se kanë bërë furnizmin e ekonomisë me monedha të reja, kanë inicuar themelimin e Qendrës Kombëtare për luftë ndaj parave të falsifikuara dhe veprime të tjera.
Ndërkaq, plani strategjik i BQK-së për vitin 2024-2028 është forcimi i qëndrueshmërise dhe stabilitetit financiar, ngritje të kapaciteteve, përkushtim ndaj personelit, digjitalizmi dhe modernizmi i proceseve, avancimi i mbrojtjes së konsumatorit e të tjera.