Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 22 mars 2024, miratoi Manualin e Mbikëqyrjes të Bazuar në Rrezik për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (PPP/LFT).
Qëllimi i këtij Manuali është ngritja e kapaciteteve mbikëqyrëse drejt qasjes së bazuar në rrezik e cila mundëson identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit si dhe përshtatjen e strategjisë mbikëqyrëse në përputhje me rrezikun e paraqitur.
Ky Manual është përgatitur me asistencën teknike nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik (PECK III). Prandaj, me këtë rast BQK-ja falënderon Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
BQK mbetet e përkushtuar për të avancuar kornizën ligjore dhe rregullative duke zbatuar standardet me të larta, me mbështetjen e partnereve strategjik, në pajtim me objektivat e saj dhe Planin Strategjik 2024-2028.