Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike gjatë vitit 2026, me Bruto Produktin Vendor (BPV) që pritet të rritet me 3.5 për qind, krahasuar me 3.6 për qind sa u rrit në vitin 2025. Sipas BQK-së, ekonomia do të vazhdojë të mbështetet kryesisht nga konsumi privat dhe rikuperimi i eksporteve të mallrave, megjithëse rreziqet nga zhvillimet gjeopolitike dhe luhatjet e çmimeve të energjisë mbeten të larta, përcjell KosovaPress.
Në Raportin Vjetor 2025, BQK vlerëson se rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar u mbështet nga konsumi dhe investimet, ndërsa eksportet neto patën ndikim negativ për shkak të rritjes së importeve. Konsumi kontribuoi me 3.9 pikë përqindje në rritjen ekonomike, ndërsa investimet me 2.9 pikë përqindje.

Banka Qendrore bën të ditur se gjatë vitit 2025 u rikthyen presionet inflacioniste. Inflacioni mesatar arriti në 3.9 për qind, nga 1.6 për qind një vit më parë, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë elektrike. Për vitin 2026, BQK parashikon përshpejtim të mëtejshëm të inflacionit në 6.7 për qind, duke vlerësuar se tensionet gjeopolitike dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të ushtrojnë presion shtesë mbi çmimet e energjisë dhe ushqimit.
Parashikimet e BQK-së për vitin 2026 tregojnë përshpejtim të inflacionit në 6.7 përqindSa i përket tregtisë së jashtme, raporti vlerëson se deficiti i llogarisë rrjedhëse u thellua si pasojë e rritjes së importeve të mallrave, ndërsa eksportet neto ndikuan negativisht në rritjen ekonomike. Megjithatë, bilanci i shërbimeve, remitencat dhe investimet e huaja direkte shënuan rritje dhe vazhduan të luanin rol stabilizues për ekonominë e vendit.
“Sa i përket sektorit të jashtëm, eksportet neto ndikuan negativisht në rritjen ekonomike me -3.1 pikë përqindje. Eksporti i mallrave dhe shërbimeve kontribuoi pozitivisht me 3.2 pikë përqindje, ndërsa importi pati ndikim negativ prej 6.4 pikë përqindje. Rritja e deficitit tregtar ishte rezultat i rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve për 8.8 përqind. Importi i mallrave shënoi rritje reale për 10.4 përqind, ndërsa importi i shërbimeve shënoi rritje të ngadalësuar për 3.0 përqind, krahasuar me 15.9 përqind në vitin 2024. Në anën tjetër, rritja e vizitave të diasporës në Kosovë rezultoi në rritje reale të eksportit të shërbimeve për 11.5 përqind. Ndërkohë, eksporti i mallrave shënoi rënie reale prej 5.5 përqind”, thuhet më tej në raport.