Lufta e shkaktuar në Ukrainë nga Rusia, ka ndikuar që bizneset në Kosovë të ballafaqohen me problemin e furnizimit me lëndën e parë.
Shaqir Palushi, pronar i njërës nga bizneset në Kosovë, ka theksuar për KosovaPress, problemin e furnizimit me lëndë të parë. Sipas tij, lufta e shkaktuar në Ukrainë ka bërë që të shkaktohet ky problem.
Burim Piraj, po ashtu pronar i njërës nga bizneset në vend, tha për KosovaPress, se pengesa parësore është importimi i lëndës së parë. Derisa shtoi se kanë problem edhe me transportin, pasi Kosova ende nuk është në listën e vendeve që kanë marrëveshje të transportit të ndërsjellët.
“Kosova shumë pak prodhon lëndë të parë dhe ne jemi të detyruar që të varemi nga importi, por nga ana tjetër edhe sikur të prodhojmë lëndë të parë në Kosovë është çmimi jashtëzakonisht i lartë. Ne kryesisht po importojmë prej Evropës lëndën e parë dhe është problem shumë i madh, sepse kompanitë kosovare kanë ndryshuar dhe ka standarde të cilat ne po i zbatojmë dhe ato kërkojnë që lënda parë të jetë cilësore, kemi problem shumë me transportin, për arsyeje se Kosova ende nuk është në listën e vendeve që kanë marrëveshje të transportit të ndërsjellët. Ne ende produktet me prejardhje shtazore nuk i lejon Serbia t’i transportojmë nëpër Serbi, shkojmë nga Rumania, Bullgaria, Maqedonia në Kosovë dhe kjo është kosto shtesë që çdo kamion i merr rreth 300 euro e që janë qindra kamionë gjatë një viti dhe kostoja rritet. Ka stabilizim të çmimit të lëndës së parë që është i mirëseardhur për ne dhe po shpresojmë se nuk do të rritet”, theksoi Piraj.
“Problemi i madh i Kosovës është energjia elektrike, dhe nuk po ndikon vetëm në koston e produkteve vendore që po dalin me çmime jo të favorshme por po ndikon edhe në imazhin e vendit jashtë. Investitorët e huaj të cilët janë të interesuar të investojnë në Kosovë nuk po e shohin si vend atraktiv... shkaku i pasigurisë së tyre që të ndërtojnë reparte për punime në Kosovë”, shtoi Piraj.
Fjolla Smaili-Azemi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, tha se nga vizitat që i kanë realizuar në biznese, një nga problemet më të madha që kanë adresuar bizneset ka qenë vështirësia e sigurimit të furnizimit me lëndë të parë.
Sipas saj, për shkak të ngritjes së çmimeve të produkteve finale, konsumatorët aktualisht detyrohen që të eliminojnë të gjitha produktet e luksit dhe të fokusohen të produktet që janë nevoja esenciale, në këtë formë, Azemi tha se kjo po dëmton dhe po ndikon negativisht te bizneset.