Pagesat elektronike të preferuara më shumë se ato me para të gatshme, por për secilën shumë të paguar nga konsumatorët me kartelë bankare në dyqane, deri në 3 për qind të asaj shume u ndalen bizneseve nga bankat komerciale, raporton KosovaPress.
Bizneset kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e tarifave për këto shërbime me POS, por kjo kërkesë nuk po përmbushet nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Bizneset, veçanërisht ato që ofrojnë shërbime me kartela bankare, këtë kosto e konsiderojnë si një barrë të madhe për ta.
Sipas BQK-së, tarifat janë të përcaktuara nga rregullat e Bashkimit Evropian dhe janë të kufizuara në 0.2 për qind për kartelat e debitit dhe 0.3 për qind për kartelat e kreditit.
Kërkesën për heqjen e kësaj tarifë e ka bërë edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës (DHTIK). Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se kjo tarifë ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kostos së produkteve dhe shërbimeve, duke shkaktuar kështu sipas tij një rritje të informalitetit duke detyruar bizneset të shmangin pagesat elektronike në favor të transaksioneve me para të gatshme.Ndërkaq, menaxheri i përgjithshëm në kompaninë “Elkos”, Arsim Selmonmusaj, deklaron se kjo tarifë për pagesat elektronike është një barrë shtesë për bizneset, duke rritur sipas tij kostot e secilit produkt.
Ndërsa, Krasniqi vazhdon të insistojë se institucionet përgjegjëse duhet të marrin seriozisht trajtimin e kësaj çështje, dhe të heqin siç thekson ai këtë tarifë që është barrë për bizneset.
Bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë me i rritur fitimet e tyre vit pas viti. Ky sektor financiar në vend, ka arritur të ketë profit të lartë gjatë vitit 2024.