Që nga liberalizimi i vizave gjendja në sektorin e gastronomisë nuk është e njëjta siç ka qenë më parë. Bizneset tashmë po përballen me mungesë të punëtorëve dhe mungesë aktiviteti në lokalet e tyre. E vazhdimësia e këtyre dy problemeve, po ndikon edhe në mbylljen e bizneseve.
Pronaret e disa nga bizneset e frekuentuara në Prishtinë, kanë theksuar se nga janari i këtij viti, shumë punëtorë kanë lënë punën dhe se zëvendësimi i tyre është shumë i vështirë.
Adenis Kastrati i cili menaxhon njërin nga restaurantet në Prishtinë, për KosovaPress, ka treguar se ka mungesë të punëtorëve dhe se ka hapur konkursin për punëtorë por se nuk ka të interesuar. Sipas tij, të gjithë kanë shkuar jashtë Kosovës dhe po tentojnë të futen në tregun e Evropës.
Edhe Yll Dervishaj që është pjesë e një biznesi të gastronomisë në kryeqytet, thotë se nëse vazhdon ritmi i migrimit të punëtorëve të gastronomisë, vera e ardhshme për bizneset nuk do të jetë edhe aq e mirë.
Ndërkaq, Flamur Ismajli, menaxher i njërit nga restorantet në qendër të Prishtinës, thekson se ndihmesa e qeverisë për bizneset të cilat janë në prag të mbylljes do të ishte vendimi më i duhur.
Se qeveria duhet të nis një mbështetje financiare për bizneset, e thotë edhe kryetari Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili thekson se qeveria tashmë për shtatë vite nuk ka ndihmuar asnjë biznes.
Ai tha se duhet të menaxhohen bizneset të cilat janë në prag të mbylljes dhe se qeveria duhet të subvencionojë me paga të punëtorëve.
Ndërkaq, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë treguar se nga periudha janar-mars 2024, janë mbyllur 40 biznese të gastronomisë dhe se të gjitha kanë qenë shuarje në mënyrë vullnetare./A.Drenica/