Me debate e përplasje mes pozitës dhe opozitës është përcjellur raportimi i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi në Komisionin për Integrime Evropiane. Ai u kritikua nga deputetët e partive opozitare se nuk po merren parasysh kërkesat e Bashkimit Evropian për harmonizimin e ligjeve, por edhe për hapat drejt integrimit evropian. Para anëtarëve të këtij komisioni, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi deklaroi se është shtyrë dorëzimi i raportit të përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, me kërkesën e disa vendeve anëtare. Ai u shpreh optimist se ky raport rekomandon heqjen e masave.
Bislimi u pyet edhe lidhur me projektet që janë pezulluar si shkak i masave ndëshkuese, për çka ai ka mohuar një gjë të tillë.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se përmbajtja e raportit të përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell është pozitive dhe se rekomandohet heqja e masave për Kosovën.
Kryetarja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi tha se ka informacione se masat do të vijojnë për Kosovën.
E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj deklaroi se pushteti duhet të harmonizojë ligjet me Bashkimin Evropian, meqë ka nisma antikushtetuese.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani ka kritikuar deputetët opozitarë, ku tha se të njëjtit po dalin nga tema e cila ka qenë rend i ditës për diskutim. Për këtë ka reaguar, deputetja Rrezarta Krasniqi, e cila ka lexuar ftesën për raportim, por pa dëgjuar njëra-tjetrën.