Berisha: Qeveria e re e Kosovës të jetë ‘shumë më e kujdesshme’ me SHBA
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Berisha: Qeveria e re e Kosovës të jetë ‘shumë më e kujdesshme’ me SHBA
8 orë më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Elmi Berisha thotë se qeveria e re që do krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë, duhet të tregojë kujdes në marrëdhëniet me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Berisha theksoi se presidenti Trump mban premtimet, por nuk bën tolerime të panevojshme.

“Raporti me Kosovën duhet të ndryshojë dyqind për qind, jo 100 për qind. Uroj dhe dëshiroj që qeveria e re të jetë shumë më e kujdesshme në raport me marrëdhëniet dhe lidhjet diplomatike e politike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti, por edhe me Perëndimin”, tha Berisha.

Ai thotë se nuk pret ndryshim të qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, por u bëri thirrje zyrtarëve të të dyja vendeve të angazhohen për të përmbushur detyrimet e tyre.

Për Kosovën kjo do të thotë krijimi sa më i shpejtë i një qeverie të re të qëndrueshme dhe të gatshme të përballet me sfidat përpara saj.

“Kjo administratë është pak më e veçantë. Ka pasur edhe një administratë më të hershme të presidentit Trump, por mendoj se kjo do të jetë më koncize, më e fuqishme, shumë më e organizuar, më e detajuar, por që do t’i ketë qëndrimet e veta më të rrepta ndaj vendeve ku mund të ketë konflikte dhe ka gjëra të cilat duhet të bisedohen dhe përfundohen në bisedime paqësore. Këtu vjen edhe Kosova dhe Qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit të Kosovës duhet të jenë shumë të ndërgjegjshëm”, tha Berisha.

Ai nënvizoi se qëndrimet e Amerikës ndaj Kosovës nuk do të kenë luhatje aspak, por duhet të jenë të përgatitur që të bashkëpunojnë me administratën e presidentit Trump, pasi do të jetë në favor të shqiptarëve “vetëm se ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i kryejmë detyrat tona të shtëpisë”.

“Këtu do të thotë shumë ndershmëria dhe largpamësia e qeverisë së ardhshme dhe raporti i tyre me Perëndimin dhe në veçanti me SHBA-të. Gjithmonë duhet të jemi në të njëjtën faqe me Departamentin e Shtetit”, tha Berisha.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025