Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot pas seancës plenare të Kuvendit ku u rrëzua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, se kryeministri Edi Rama shënoi sot fundin e tij politik.
Berisha falënderoi protesutesit e PD që sipas tij morën pjesë në protestë për të mbrojtur institucionet dhe interesat e vendit.
Ai shtoi se, sipas tij, vendimet e marra nga mazhoranca tregojnë dobësim politik të kryeministrit, shkruan ATSh.
Sipas tij, reagimi i qytetarëve dhe protestat kanë ndikuar në ekspozimin politik të qeverisë.
“Është puna juaj, është qëndresa juaj, është protesta juaj që bëri që sot ai të dalë para shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar në historinë kombëtare”, tha Berisha.
“Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të qytetarëve shqiptarë kundër tij. Është kushtrim i plotë të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore gjer në largimin e tij nga pushteti”, u shpreh Berisha, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.
“Kjo që ndodhi sot është apel për ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do këtë vend të bashkohet për të larguar një minutë e më parë qeveritarin më të poshtëruar që kanë pasur në historinë e tyre, Edi Ramën”, deklaroi Berisha.
Berisha shtoi se opozita do të vazhdojë protestat paqësore, ndërsa e cilësoi këtë periudhë si moment vendimtar politik.
Berisha gjithashtu bëri thirrje për protestën e radhës të Partisë Demokratike.
“Më 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë. Të vazhdojmë kryengritjen paqësore gjer në fitore Më 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë. E gjithë Tirana në rrugë. Të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në fitoren përfundimtare”, tha Berisha.