Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të diplomacisë parlamentare po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani. Kryetari Peleshi u prit sot nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner.
Vizita u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë takimit u nënvizua mbështetja e Gjermanisë si një faktor vendimtar për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. U theksua nevoja për një proces zgjerimi të bazuar në merita dhe për vazhdimin e reformave të thella në vend.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili është shumë aktiv, me shkëmbime të rregullta vizitash dhe intensifikim të kontakteve mes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare. U theksua rëndësia e vijimit të këtyre shkëmbimeve për avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit.Gjithashtu, palët diskutuan zhvillimet në rajon dhe sfidat e sigurisë e të paqes, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. U riafirmua angazhimi i të dy vendeve në mbështetje të Ukrainës dhe në përputhje me politikat e përbashkëta të NATO-s dhe BE-së.
Vizita e Kryetarit të Kuvendit në Berlin konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit Shqipëri-Gjermani, mbëshetjen e anëtarësimit në BE dhe avancimin e bashkëpunimit parlamentar, politik dhe ekonomik mes dy vendeve.