Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në kremtimin e 25-vjetorit të bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura dhe Gardën Kombëtare të New Jersey-t.
Në këtë ceremoni, të zhvilluar në Komandën e Forcës Tokësore në Zall-Herr, krahas autoriteteve të larta të mbrojtjes dhe përfaqësuesve të institucioneve shqiptare, ishin të pranishëm dhe përfaqësuesja e Gardës Kombëtare të New Jersey-it, gjenerale Yvonne Mays, si dhe zonja Nancy VanHorn, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
“Për Shqipërinë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një nga gurët themelorë të politikës sonë të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes”, deklaroi Presidenti Begaj në fjalën përshëndetëse.
Begaj theksoi se bashkëpunimi me Gardën Kombëtare të New Jersey-it, përbën një nga historitë më të suksesshme të bashkëpunimit ushtarak dhe strategjik Shqipëri-SHBA, pasi për 25 vite ka ndihmuar në transformimin, modernizimin dhe forcimin e Forcave të Armatosura.Gjatë fjalës Begaj theksoi se ka ende potencial për të zgjeruar këtë bashkëpunim dhe se ai duhet të marrë dimensione të reja, si në arsimin ushtarak, stërvitjet e përbashkëta, në mbrojtjen kibernetike, edhe në zhvillimin e infrastrukturës strategjike.
“Shqipëria ka shumë për të ofruar dhe shumë për të ndërtuar së bashku me partnerët e saj amerikanë. Infrastruktura strategjike, kapacitetet mbrojtëse, Baza Ajrore Taktike e Kuçovës, porti i Porto Romanos, projektet në fushën e transportit dhe korridoret rajonale të lidhjes janë pjesë e një vizioni më të gjerë: një vizioni të një Shqipërie më të fortë, më të sigurt dhe më të dobishme për Aleancën”, shtoi Presidenti.
“Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj strategjike. Ajo qëndron me Shtetet e Bashkuara, me NATO-n dhe me botën demokratike. Dhe nëse dikush kërkon të gjejë një vend pro-amerikan në rajonin tonë, do ta gjejë gjithmonë në Shqipëri, në Kosove dhe kudo ku ka shqiptarë. Ne ishim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në koalicionin antiterror, jemi edhe sot në nismën e Samitit për Paqen”, deklaroi Presidenti Begaj, transmeton ATSH.