Përfundimi i raundit të katërt të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë i mbajtur më 18 prill në Bruksel për çështjen e dinarit nuk dha rezultate drejtë një zgjidhjeje. Kjo ngjalli dyshimet se ky proces po shkon drejtë dështimit, pasi palët nuk po arrijnë pajtueshmëri mbi një propozim të ndërmjetësit, Miroslav Lajçak.
Zëdhësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar se rezultatet e bisedimeve Kosovë-Serbi për çështjen e dinarit varen nga aftësia e të dyja palëve.
Menjëherë pas takimeve kryenegociatorët dhanë qëndrimet e tyre.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, takimin e kishte quajtur “të kotë dhe pa rezultate”. Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë,Petar Petkoviq, tha se Serbia “bëri gjithçka për të gjetur zgjidhje”.
BE-ja ka paralajmëruar shumë shpejtë takimin e radhës midis kryenegociatorëve në Bruksel për dinarin.
Më 1 shkurt hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave në territorin e Kosovës.