Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike i miratuar më 8 nëntor nga Komisioni Evropian.
Kështu u tha gjatë një debati në Bruksel kushtuar procesit të zgjerimit të organizuar nga “Miqtë e Evropës”.
Në debat morën pjesë edhe Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, drejtori i përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Coopman dhe shumë pjesëmarrës tjerë.
Coopman tha se qëllimi i BE-së është t’i integrojë sa më shumë vendet e rajonit edhe para se të bëhen anëtare të BE-së, përfshirë edhe integrimin në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.
“Për të realizuar këtë, rajoni duhet t’i tejkalojë problemet e hapura. Nuk mund të pranojmë vende, të cilat kanë raporte të helmuara”, tha Coopman duke përmendur çështjet e hapura rreth kufijve.
Këto kushte, sipas diplomatëve në BE, kanë të bëjnë para së gjithash me Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë të përfshira në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ministri për çështje evropiane i Çekisë, Martin Dvorak, rikujtoi se nuk do të ketë mundësi për asnjë vend kandidat që të shmangë përmbushjen e kritereve në procesin e avancimit drejt BE-së.
Ndërsa, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, bëri thirrje që BE-ja të dëshmojë se kësaj radhe mundësia për integrim në BE është vërtet reale. Ai tha se Serbia po bën shumë në procesin e reformave sikur edhe në ndihmën për Ukrainën.
Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian më 8 nëntor të këtij viti është i bazuar në katër shtylla.
Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.
Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.
Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.
Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”. /rel/