Bashkimi Evropian është i zhgënjyer pasi Serbia e ka ndaluar shëtitjen si pjesë e Europride në Beograd përgjatë rrugës që ishte planifikuar, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
“Meqenëse organizatorët kanë njoftuar se do të shqyrtojnë alternativat, përfshirë mjetet juridike kundër ndalimit, BE-ja shpreh shpresën se një zgjidhje do të gjendet para datës 17 shtator, në mënyrë që shëtitja të kalojë e qetë dhe e sigurt”, thuhet në deklaratë.
“Është një shprehje publike e vullnetit për të luftuar kundër diskriminimit dhe promovon të drejta të barabarta për personat LGBTIQ+ dhe është pjesa më e dukshme e Europride. Nuk mund të ketë Europride pa shëtitje”, thuhet në njoftim.
Serbia ka marrë vendim të mos lejohet shëtitja e pjesëmarrësve të “Europride 2022” si dhe e pjesëmarrësve të shëtitjes familjare të organizuar nga “antiglobalistët” në Beograd më 17 shtator.