Bashkimi Demokratik për Integrim paralajmëroi se të shtunën në Tetovë do të mbahet protestë.
Në konferencën për media të kësaj partie u tha do të fillojë ekzistenca qytetare për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për emërtimet e rrugëve në Tetovë është ngjarja që mobilizon këtë reagim qytetar, por shqetësimi i qytetarëve është shumë më i gjerë. Për një periudhë të gjatë është krijuar bindja se po zhvillohet një proces i vazhdueshëm i dobësimit të mekanizmave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Çdo zhvillim i veçantë ka shtuar pasigurinë; të marra së bashku, ato krijojnë një pamje që kërkon reagim qytetar”, thuhet në njoftimin eBDI-së
Sipas BDI-së është e rëndësishme të rikujtohen faktet.Vendimi iu dërgua Qeverisë. Qeveria nuk u përgjigj brenda afatit ligjor. Ligji për Vetëqeverisje Lokale është i qartë: mosveprimi i Qeverisë brenda afatit prodhon efekt juridik dhe konsiderohet miratim i aktit të komunës.
Për të shmangur çdo dilemë procedurale, Këshilli i Komunës e miratoi edhe një herë të njëjtin vendim. Edhe pas këtij votimi, Qeveria nuk ndërmori asnjë veprim. Edhe kësaj here, heshtja institucionale prodhoi efektin juridik të parashikuar me ligj.
Gjatë procedurës, Gjykata Kushtetuese kërkoi sqarime dhe dokumentacion nga Komuna e Tetovës. Komuna nuk iu përgjigj kësaj kërkese dhe nuk e mbrojti juridikisht vendimin e saj. Mungesa e këtij reagimi institucional ka pasoja serioze dhe kërkon përgjegjësi.
Në periudhën që vjen, Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë edhe për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë që këto procese të zhvillohen mbi bazën e Kushtetutës, të marrëveshjeve politike që kanë garantuar paqen dhe të parimit të sigurisë juridike.
Protesta e së shtunës është një thirrje për përgjegjësi institucionale, për respektimin e rendit kushtetues dhe për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit si themel i bashkëjetesës dhe i orientimit euroatlantik të vendit.
Historia e çdo shteti ka momente kur qytetarët vendosin të mbrojnë parimet mbi të cilat është ndërtuar ai shtet. Besojmë se e shtuna do të jetë një prej atyre momenteve”, thuhet në njoftimin e BDI-së.