Bashkim Ramosaj: Turizmi porta e vetme që krijon standarde ekonomike
Lexohet për: 6 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Rëndësia e turizmit në zhvillimin e përgjithshëm të vendit dhe hapat që duhet ndërmarrë për të promovuar vendet turistike ishte temë kryesore diskutimi në tryezën shkencore të organizuar sot me temën "Turizmi në Deçan". Diskutimet nga pjesëmarrësit theksuan nevojën për ndryshime që do të ndihmojnë zonat turistike të tërheqin sa më shumë vizitorë.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, vlerësoi turizmin si mjetin kryesor për zhvillimin e qytetit, duke e cilësuar atë si një portë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik. Ramosaj foli për historikun, problematikat dhe qasjen sa i përket turizmit, për çka përmendi Bjeshkët e Belegut, Dervish Komin, Lakun e Kryqes, Qendrën rinore, projektin e qendrës së qytetit e të tjera.

Ndër të tjera, i pari i Deçanit potencoi përpjekjet dhe planet e qeverisë komunale për zhvillimin e turizmit në këtë komunë.

“E kemi një dashuri më të madhe për këtë sektor (turizmin). Ndoshta është e vetmja portë ku na krijon një standard ekonomik si qytet dhe ekonomive familjare u jep një tjetër standard... Dua të flas për historikun, problematikat dhe qasjen. Deçani ka qenë një qytet që nuk ka ekzistuar në 99-ën dhe ku qytetarët që janë kthyer në këtë qytet pas dëbimit, përtej dhimbjeve dhe asaj çfarë ka ndodhur është dashur të shikojnë t’i ndërtojnë shtëpitë, ta kenë strehën e vet dhe është dashur të mendojnë ta zhvillojnë jetën. Unë shpesh e them se ky qytet ka rilindur, sikurse një pjesë e madhe e qyteteve të Kosovës, fatin e kanë pasur të tillë. Pasi kryhet kjo situatë të krijon një standard që është improvizim dhe ky improvizim merr fund dhe ti duhesh të koncentrohesh dhe të përkushtohesh të bëhen gjëra të qëndrueshme…E kemi marrë vendim e parë që qyteti duhet të jetë i pastër, nuk duhet të ketë mbeturina. Jemi komuna e parë që e kemi e themeluar një ndërmarrje komunale”, tha Ramosaj.

Ndërkaq, në tryezën shkencore mori pjesë edhe profesori  Halil Bajrami, derisa prezantoi temën “Burimet turistike në funksion të zhvillimit ekonomik”. Ai tha se turizmi  i qëndrueshëm kërkon që komuniteti dhe mjedisi të kenë një ndërlidhje të padiskutueshme dhe komuniteti lokal të jetë përfitues nga të gjitha llojet e zhvillimit të turizmit.

Bajrami tha se të gjitha parimet e zhvillimit të turizmit fokus e kanë mjedisin, aspektin socio-ekonomik dhe komunitetin.

“Turizmi i qëndrueshëm kërkon që komuniteti dhe mjedisi të kenë një ndërlidhje të padiskutueshme dhe komuniteti lokal të jetë përfitues nga të gjitha llojet e zhvillimit të turizmit…Burimet turistike gjenerata e tanishme t’i shfrytëzon duke u kujdesur për të njëjtat burimet për gjeneratat pasardhëse…Faktorët apo burimet natyrore, burimet e trashëgimisë natyrore, burimet njerëzore dhe kemi burimet e kapitalit, respektivisht infrastrukturës apo super-strukturës së nevojshme turistike. Për të qenë një turizëm i qëndrueshëm që kontribuon në zhvillimin ekonomik gjithsesi duhet t’i kemi kriteret qe duhet t’i zbatojmë gjatë zhvillimit të turizmit. Njëri prej kritereve për të qenë një turizëm i qëndrueshëm është planifikimi efikas i zhvillimit të qëndrueshëm…Të gjithë parimet e zhvillimit të turizmit fokus e kanë mjedisin, aspektin socio-ekonomik dhe komunitetin”, tha Bajrami.

Profesori Hysen Sogojeva theksoi se për ta zhvilluar edhe më shumë Belegun si vende turistik nevojitet zgjidhja e problemit me infrastrukturën, pasi kjo do të ndikonte në tërheqjen e sa më shumë vizitorëve.

“Belegu është i pazëvendësueshëm. Në Kosovë nuk ka si Belegu. Por, kur zhvillohet si destinacion duhet t’i dhënë hakut, duhet afruar. E para problemin më të madh e kemi infrastrukturë ligjore. Kur është bërë ligji për parkun nacional të Bjeshkëve të Nemuna, është dashur që grupi punues të mendojë që në Parkun Nacional të ekzistojë mundësia që të zhvillohen qendra të ndryshe turistike…Prej Kozhnierit duhet të ketë teleferikë, e deri atje 10-12 kilometra, sikurse Dajti, i cili edhe i sheh këto bukuri…Edhe ju si Komunë me Belegun që e keni duhet të përgatiteni te ardhmen që do t’iu vërshojnë turistët nëse e zhvillojmë si destinacion. Këtu duhet edhe promovim. Kur them promovim, investoni edhe në promovim. Promovimi është baza kryesore, pasi vlerat humbin”, theksoi Sogojeva.

Bajram Tahiraj prezantoi temën “Toponomia e Bjeshkëve të Deçanit”, derisa vuri theksin se emërtimet e të gjitha vendeve turistike të bëhen në gjuhën shqipe siç janë quajtur më herët nga populli, në mënyrë që të gjenden më lehtë nga vizitorët.

“Mendoj që (toponimet) kanë një vlere të veçantë për shkak se çdo turist kur vjen ai përveç se orientohet me GPS apo mjete të tjera, mund të orientohet dhe në bazë të një emërtimi. Kam pasur rast kur turistët kanë pyetur për bjeshkët, për rrugët që duhet të shkojnë. Më është dashur t’iu them shko majtas apo djathtas për të arritur cakun. Si ide e imja është që këto emërtime të gjitha të dalin të motivuara në gjuhën shqipe, përveç aty ku ka ndërhyrë administrata serbe paralufte, dalin gjysmë shqip gjysme serbisht, si i ka përkthyer i ka deformuar, i ka vendosur si iu janë përshtatur atyre. Të merren, të shënjohen sidomos ato makro-toponime, që turistët të orientohen në bazë të emërtimeve që të gjitha janë në gjuhën shqipe…Pse mos të jetë çdo emër i vendit ashtu siç e ka quajtur populli”, tha Tahiraj.

Përveç këtyre, disa nga çështjet e diskutuara për të avancuar turizmin në Kosovë përfshijnë ciceronët turistik të certifikuar dhe krijimi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Kosovë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024