Shqipe Mehmeti Selimi, deputetja dhe bashkëshortja e Rexhep Selimit ka dhënë detaje lidhur me njërin nga avokatët e tij, i cili është larguar nga ekipi mbrojtës.
Ajo ka sqaruar në Facebook se një gjë e tillë është e vërtetë, por nuk ka të bëjë asgjë me çështje financiare, por me çështje shëndetësore të avokatit David Young.
Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi, gjendet në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020, pas konfirmimit të aktakuzës që përfshiu krerët më të lartë të shtetit.
Sipas aktakuzës, ish-pjesëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dyshohet për veprat penale të ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjeve e zhdukjeve me forcë të personave midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.