Ministri në detyrë i Infrastrukturës në detyrë, Dimal Basha, ka bërë një reagim ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se qeveria Kurti po u kushton me jetë qytetarëve, sepse siç u shpreh “pas lajmit tragjik dje, sot u gjenden miliona për heqjen e dheut në autostradë”.
Por Basha thotë se nuk bëhet fjalë për heqje dheu, siç po manipulon kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës.
Reagimi i tij i plotë:
Ministria sot ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në autostradën “Ibrahim Rugova”.Një ligësi tjetër është manipulimi me aksidentin që ndodhi gjatë vikendit. Siç është e njohur për publikun, autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore.
Familjes të së ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi.