Të paktën 21 persona u vranë dhe mbi 90 të tjerë janë plagosur pas një sulmi masiv rus me raketa dhe dronë ndaj Kievit në Ukrainë, që nisi të mërkurën vonë e vazhdoi deri të enjten paradite.
Kjo “stuhi” ushtarake zgjati rreth 11 orë dhe detyroi më shumë se 50 mijë banorë të strehoheshin në stacionet e metrosë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, e cilësoi sulmin si një "natë tmerri" për Kievin.
AP raporton se shpërthimet dëmtuan mbi 30 lokacione në kryeqytetin ukrainas, përfshirë rreth 20 ndërtesa banimi.Ministria ruse e Mbrojtjes tha se bombardimet ishin hakmarrje për sulmet e fundit ukrainase ndaj rafinerive dhe objekteve energjetike në territorin rus.
Sipas Moskës, sulmet goditën vetëm objektiva ushtarake dhe infrastrukturë të lidhur me ushtrinë, pavarësisht që autoritetet ukrainase raportuan për viktima të shumta civile.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 16 mijë civilë ukrainas janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.