Polemikat rreth aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe deklarimeve të Presidentes Vjosa Osmani kanë nxitur një përplasje argumentesh mes publicistit Veton Surroi dhe juristit Bardhyl Hasanpapaj.
Pas qëndrimeve të shprehura nga Surroi lidhur me interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin presidencial, Hasanpapaj ka reaguar publikisht me një sqarim të detajuar në tetë pika, duke kundërshtuar vlerësimet e tij dhe duke argumentuar se Gjykata nuk ka konstatuar asnjë shkelje kushtetuese nga Presidentja Osmani.
Në reagimin e tij, ai argumenton se ekziston një dallim i qartë juridik ndërmjet një akti që nuk prodhon efekt juridik dhe një akti që përbën shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se Gjykata ka konstatuar vetëm të parën.
Hasanpapaj vlerëson gjithashtu se nuk qëndron pretendimi se Gjykata ka rrëzuar arsyetimin e Presidentes Osmani. Sipas tij, aktgjykimi konfirmon premisën themelore se Presidenti duhet të zgjidhet të paktën 60 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit në detyrë, ndërsa trajton vetëm rrethanat e jashtëzakonshme të krijuara pas zgjedhjeve të parakohshme dhe konstituimit të vonuar të Kuvendit.Ai thekson se po të kishte pasur shkelje kushtetuese, Gjykata do ta kishte konstatuar qartë në dispozitiv dhe arsyetim, pasi gjykatat kushtetuese nuk komunikojnë përmes insinuatave, por përmes konstatimeve të drejtpërdrejta juridike.
Hasanpapaj është gjithashtu kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në zgjedhjet e ardhshme, ku garon me numrin 34 në listën zgjedhore të kësaj partie.