Barcelona afër blerjes së yllit të Premier Ligës
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Barcelona afër blerjes së yllit të Premier Ligës
FC Barcelona është duke insistuar maksimalisht për të finalizuar marrëveshjen me Newcastle United për transferimin e Anthony Gordon brenda kësaj jave. Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, klubi katalunas është shumë besimplotë për mbylljen e operacionit.
Barcelona tashmë ka arritur akord personal me lojtarin, ndërsa bisedimet me Newcastle po zhvillohen rreth një pakete totale prej 80 milionë eurosh, duke pritur vetëm dritën e gjelbër nga klubi anglez.
Anthony Gordon po vjen pas një edicioni fantastik me Newcastle United, ku ra në sy veçanërisht në skenën evropiane. Gjatë sezonit të tij në UEFA Champions League për sezonin 2025/26, sulmuesi anglez shkëlqeu duke shënuar edhe një Hat-Trick spektakolar në ndeshjen e parë të fazës nokaut kundër Qarabag FK në Baku, sfidë në të cilën u shpall zyrtarisht edhe lojtari më i mirë i ndeshjes nga PlayStation. Këto paraqitje vendimtare në elitën e futbollit evropian kanë bërë që vlera e tij në treg të shpërthejë, duke detyruar Barcelonën të shpenzojë rreth 80 milionë euro për shërbimet e tij.
Bayern Munich rrezikon të mbetet jashtë loje
Edhe pse bavarezët shiheshin si një nga dëshiruesit e lojtarit, politikat e tyre strikte financiare e bëjnë pothuajse të pamundur një kundërofertë në këto shifra.
Për Bayernin kjo situatë po ngjan me sagën e Florian Wirtz-it nga vera e kaluar, ku gjermanët konsideroheshin favoritë përpara se Liverpooli të ndërhynte në momentet e fundit.
KosovaPress