Nisma për të Drejtën e Pronës është projekti i radhës që ka përfituar Kosova nga Banka Botërore, përkatësisht nga Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim që zbatohet nga ATRC. Ky projekt i cili ka filluar të implementohet nga viti i kaluar ka për qëllim që përmes avokimit publik t’i njoftojë qytetarët me të drejtat e tyre pronësore që u takojnë, e po ashtu edhe të reduktojë pabarazitë ekzistuese mes grupe të ndryshme, përfshirë pjesëtarët e komuniteteve, gratë dhe të rinjtë. Kështu bënë të ditur për KosovaPress, zyrtarja për Komunikim dhe Informim Publik në Projektin PIAKOS, të Bankës Botërore në Kosovë, Adelina Nitaj.
Nitaj thotë se me aktivitete të ndryshme dhe në bashkëpunim edhe me institucionet vendore, projekti do të ketë shtrirje në 27 komuna të Kosovës, në të cilat qytetarët do të informohen në mënyra të ndryshme se si të mbrojnë dhe përfitojnë nga të drejtat pronësore.
“Nisma për të drejtën e pronës është në linjë me kornizën kombëtare për partneritet të Bankës Botërore me Republikën e Kosovës dhe si qëllim i projektit është avancimi i të drejtave pronësore. Këtë presim ta arrijmë përmes avokimit të drejtpërdrejtë për gratë, grupet e cenueshme dhe të rinjtë, dhe gjithashtu përmes kampanjave të ndryshme mediale, të cilat do të ngrisin vetëdijen qytetare për pronën dhe do të rrisin gjithashtu edhe numrin e pronarëve, titullarëve të pronës së paluajtshme. Bazuar në statistikat zyrtare, aktualisht vetëm 19.8 për qind të grave janë pronare të pronës së paluajtshme. Ne si projekt presim që deri në përfundim të aktiviteteve, kjo përqindje të rritet, dhe që të krijojmë pak a shumë një barazi mes regjistrimit të pronës, mes grupeve të ndryshme, mes gjinisë dhe të krijojmë një kohëzion social mbi të gjitha”, bënë të ditur Nitaj.
Nitaj thekson se periudha implementuese e projektit do të jetë trevjeçare, për të cilën shton, se gjatë kësaj periudhe i gjithë projekti do të jetë një bashkëpunim mes shoqërisë civile, institucioneve dhe qytetarëve për të avancuar të drejtat pronësore dhe në përgjithësi të gjithë sistemin kadastral.
Projekti do të ketë në fokus 27 komuna të Republikës së Kosovës.
“Ky projekt për herë të parë do të mbledh bashkë shoqërinë civile, institucionet dhe qytetarët për të ngritur vetëdijen publike mbi pronësinë dhe përfitime që vinë me regjistrim të pronës. Projekti Nisma mbi të Drejtën e Pronës do të krijohet në atë mënyrë që do të ketë një partneritet me dhjetë organizata të ndryshme të shoqërisë civile, të cilat presim që t’i bashkohen projektit përmes thirrjes e cila ka qenë publike deri sot. Dhe, nga ky aplikim presim të kemi partneritet me këto organizata të shoqërisë civile të cilat do të ndihmojnë projektin në implementimin e aktiviteteve në terren. Projekti do të ketë në fokus 27 komuna të Republikës së Kosovës dhe presim që nga këto aktivitete të kemi një mbulueshmëri territoriale, dhe presim që gjithë qytetarët e vendit të njohin të drejtat pronësore që u takojnë, të dinë të mbrojnë dhe të përfitojnë nga të drejtat pronësore”, thotë ajo.
“Një projekt që do të sjellë sienergji të re në mes të bashkëpunimit me shoqërinë civile, institucionet dhe qytetarët. Kemi bashkëpunim të jashtëzakonshëm me Qeverinë e Kosovës, me ministritë përkatëse, për shkak që gjatë implementimit të aktiviteteve do të ketë dhe fushata të këshillimit të drejtpërdrejt për qytetarët e vendit, ku në bazë të informatave që do i marrin dhe ndihmës që do i marrim nga Agjencia për ndihmë juridike falas. Gjithashtu gjatë fazës implementuese të aktiviteteve të këtij projekti do të ndihmojmë edhe agjencitë ekzekutive që veprojnë në kuadër të ministrive të ndryshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës me kampanja të tyre mediale, me kampanja të avokimit publik dhe ato të informimit... Është me rëndësi për qytetarët të dinë që vetëm pajisja me një certifikatë, qoftë ajo vendim gjyqësor, marrëveshje noteriale ose një marrëveshje verbale nuk mjafton sa i përket pronësisë. Pra, një pronë zyrtarisht njihet si e regjistruar vetëm në momentin që është e regjistruar në Regjistrin e të Drejtave të Pronës së Paluajtshme, pra atëherë zyrtarisht një pronë njihet si pronë e regjistruar dhe titullari njihet si i titullar i pronës”, shton Nitaj.
Ajo thekson po ashtu se përmes financimit të Bankës Botërore në Kosovë me iniciativa dhe projekte të ndryshme, dhe ato ekzistuese kanë ndodhur shumë reforma të konsiderueshme në sistemin kadastral, por sipas saj, mbetet ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim.