Kryeministri Edi Rama komentoi sërish rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën tha se është një çështje e mbyllur.
Ai tha se njerëzit nuk mund të përdoren si mjete në luftën kundër korrupsionit, ndërsa theksoi se SPAK mund të vazhdojë hetimet në gjendje të lirë, teksa solli faktin që në Shqipëri ka numër të lartë të njerëzve të paraburgosur.
“Kuvendi i Shqipërisë i dha fund një diskutimi, debati, polemike, përplasjeje të gjatë lidhur me kërkesën për të autorizuar heqjen e lirisë së një deputeti.
Dhe çështja e deputetes Belinda Balluku, sipas meje, sipas nesh, është një çështje e mbyllur.58% e popullatës që ne e kemi sot në sistemin e burgjeve të Republikës së Shqipërisë nuk janë gjykuar, por janë në burg dhe jetojnë me taksat e shqiptarëve, në vend se të jetojnë me punën e tyre jashtë burgut dhe të ndiqen në gjendje të lirë.
Natyrisht, nuk flas për të gjithë, sepse me siguri mes tyre ka edhe nga ata, liria e cilëve duhet kufizuar paraprakisht, pasi janë kapur në kushtet e flagrancës, kanë kryer një vepër të rëndë penale, janë shoqërisht të rrezikshëm, etj, por në tërësinë e vet, përderisa Këshilli i Europës ka vënë alarmin për këtë çështje, ne nuk kemi se si jemi të shurdhët dhe ndërkohë që nuk kemi mekanizma për të frenuar një tërësi veprimesh të kësaj natyre, që janë vërtetë të rënda dhe justifikohen siç thotë raporti i Këshillit të Europës me fjalë të përgjithshme, në këtë rast me duart tona ne nuk mund t’i bashkoheshim kësaj kuturisjeje.
Pra, në këtë rast, siç dihet botërisht, kemi të bëjmë me një çështje ku prokurori ka ngritur me të drejtën e vet dyshimin dhe ka nisur hetimin dhe pastaj ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vite më parë dhe nga ana tjetër nuk ka akuzë për korrupsion, nuk ka akuzë për përvetësim fondesh, nuk ka asnjë skenë flagrance, asnjë provë që të çon në këtë drejtim.
Kështu që, e përsëris, arresti si masa më e rëndë e sigurimit do të jetë mjeti i fundit, nuk mund të jetë mjeti i parë.
Dhe dua të shtoj këtu, se të gjithë ata që vunë kujën për integrimin dhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian, që na qenkej kaq afër, kini parasysh, janë po ata të cilët deri në këtë moment predikonin ditë,natë se integrimi dhe anëtarësimi ishin shumë larg. Se integrimi dhe anëtarësimi ishte “një ëndërr që unë e shisja për shqiptarët por që s’e besoja as vetë”, se “ne kurrë nuk do anëtarësoheshim në Bashkimin Europian” dhe papritur në të gjitha tenxheret u ngritën përpjetë kapakët sepse ëndrra u prish në çastin e fundit.
Është e vërtetë që kemi pasur një diskutim shumë konstruktiv me disa partnerë, të cilët kanë një opinion të ndryshëm, të cilët kanë komplet një tjetër qasje ndaj imunitetit në vendet e tyre se në vendet e tyre nuk fillon dot asnjë hetim pa marrë një herë autorizimin e parlamentit. Ne nuk kemi imunitet të kësaj natyre në Shqipëri. Ne kemi vetëm garanci për mbrojtjen e lirisë së deputeteve dhe kaq.
Të tjerat kur thoshte At Gjergj Fishta janë dokrra hini.“, tha Rama.