Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se, në prag të shpërndarjes së Kuvendit, ajo në qeveri ka shpallur rreth 20 konkurse për pozita të larta udhëheqëse në institucione publike.
Sipas Bajramit, këto veprime nuk janë procese të rregullta rekrutimi, por përpjekje për, siç ka thënë ajo, “kapjen e institucioneve para zgjedhjeve”.
“LVV-ja, pasi e përmbylli kapjen e AKP-së, RTK-së, KPMM-së dhe Komisionit të Jurisprudencës, vetëm disa orë para shpërndarjes së Kuvendit, ka shpallur rreth 20 pozita të larta udhëheqëse. Këto nuk janë konkurse normale, janë përpjekja e fundit për kapjen e institucioneve para se të mbahën zgjedhjet. Po, konkurset janë hapur disa orë para shpërndarjes së Kuvendit, por pikërisht këtu qëndron problemi: a mund të quhet proces kredibil një konkurs që shpallet në prag të shpërndarjes së Kuvendit dhe i tëri zhvillohet nga një Qeveri në dorëheqje?“, shkruan Bajrami.
Bajrami ka kërkuar që qeveria e re, pas zgjedhjeve, t’i ndalë këto procese dhe t’i rishpallë konkurset, duke siguruar përzgjedhje profesionale, të pavarur dhe me integritet.
Sipas saj, pozitat e shpallura përfshijnë poste të rëndësishme si sekretarë ministrish, drejtorë ekzekutivë të agjencive dhe drejtues institucionesh kyçe, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financave dhe disa agjenci shtetërore.