Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dorëzuar, siç thanë, dëshmi në zyrën e KEDS-it se njësorët elektrikë po masin gabimisht kohën.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, tha se kanë sjellë dëshmi të mjaftueshme se si “KEDS po manipulon dhe vjedh qytetarët”, duke mashtruar pasi shumë njësorë kanë tarifuar me tarifën e shtrenjtë pasi ora nuk është e përputhur.
Ai tha se për këtë do të kërkojë llogari edhe nga ZRRE-ja, Ministria e Ekonomisë dhe në fund do t’i dorëzojnë këto dëshmi në Prokurorinë Speciale.
“Kjo është vepër penale dhe duhet me dhanë përgjegjësi. Prej këtu duhet me shku te Zyra e Rregullatorit për Energji, sepse nuk e kanë monitoru implementimin e vendimeve për tarifat e qytetarëve. Qysh duhet me pagu tarifën e shtrenjtë kur ZRRE ka thënë se prej 10 të natës fillon tarifa e lirë, e as kur don KEDS-i dhe KESCO. Prej aty duhet me lyp llogari edhe te ministria e qeveria, sepse kam dëgjuar se kanë shkarkuar disa zyrtarë që kanë fillu disa hetime më herët. Atje duhet me shku me kërku përgjegjësi dhe llogari. Këto pare duhet me iu kthy qytetarëve të Kosovës. Këtu ka një hallkë të madhe, ku është ai Mefaili i LVV-së po akuzon, duhet me qenë këtu me neve... Këto dëshmi kam me dorëzu në fund në Prokurori Speciale dhe pastaj ata duhet të merren me këtë”, shtoi Azemi.“Menaxhmenti nuk deshti me u taku, besa as dokumentet nuk deshën t’i pranojnë. Më sillen në disa korridore me kallxu që nuk munden. Kjo është me të ardh keq pasi nuk dëshirojnë as një përgjigje me të dhënë. Mirëpo mirë, pasi tash e di edhe adresën ku me shku: te ministria, atje ku janë përgjegjësit kryesor për monitorimin e këtyre njësorëve elektrikë, pastaj në ZRRE dhe në fund në prokurori. Uroj që kjo të marrë një epilog, pasi këtë hajni duhet ta ndalim bashkërisht”, përfundoi ai.