Avokati kosovar Arianit Koci, i cili është i autorizuar për të ndërmjetësuar që trupi i Faton Hajrizit të kthehet në Kosovë, ka njoftuar se strishoja e gojës e nënës së Faton Hajrizit është dhënë tek autoritetet e Serbisë për zbulimin e vrasjes së pretenduar të tij.
Avokati Koci ka shkruar në Facebook se tanimë nuk ka asnjë arsye të mos lirohet trupi i Faton Hajrizit.
Autoritetet serbe ende nuk e kanë bërë të ditur kohën dhe mënyrën se si do të mund të sillet në Kosovë trupi i pajetë i Faton Hajrizit, shtetasit kosovar të vrarë nga autoritetet serbe më 19 korrik.
Faton Hajrizi ishte arratisur për herën e nëntë nga burgu i Smrekonicës, më 6 korrik të këtij viti.
Lidhur me rastin e pretenduar nga Serbia të vrasjes së një qytetari të Kosovës në Serbi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka bërë të ditur se janë njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor - ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22 korrik kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi.
https://kosovapress.com/gervalla-trupi-i-fatonit-te-kthehet-sa-me-shpejt-ne-kosove