Kosova po synon të përfitojë nga momentumi i ri gjeopolitik në Bashkimin Evropian për të avancuar kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat. Derisa të martën, Brukseli do të jetë nikoqir i katër konferencave ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe katër vendeve kandidate, Shqipërisë, Malit të Zi, Ukrainës dhe Moldavisë, institucionet në Kosovë e cilësojnë këtë si një moment të rëndësishëm që thekson se zgjerimi i unionit tashmë po merr dimension politik e strategjik.
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, thotë për KosovaPress se momenti aktual paraqet një mundësi të rëndësishme edhe për Kosovën. Ai thotë se zgjerimi nuk po trajtohet më vetëm si proces teknik, por edhe si domosdoshmëri gjeopolitike, ndërsa përparimi i vendeve të rajonit, veçmas Shqipërisë, sipas tij, është në interes të gjithë Ballkanit Perëndimor.
“Jemi në një moment gjeopolitik, përgjigjja e BE-së po ashtu është gjeopolitike dhe, sigurisht, ne i gëzohemi anëtarësimit edhe të Shqipërisë. Sa më shumë që ecën përpara Shqipëria, aq më mirë. Dhe është vlerësim i Bashkimit Evropian se çfarë konsiderohet... Për ne është e rëndësishme që të mos kapemi nga mungesa e vullnetit të Serbisë për normalizim apo edhe nga progresi i tyre. Ne duhet të kemi rrugën tonë të progresit dhe të vlerësohemi në bazë të meritës sonë, e që në të gjithë indikatorët del se kemi përparim të theksuar”, deklaron ai.
Duke folur për presidencën irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, Zulfaj thotë se institucionet e Kosovës po intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të siguruar mbështetjen e shteteve anëtare, me synimin që kërkesa e Kosovës për statusin e vendit kandidat të vendoset në agjendën evropiane. Sipas tij, megjithëse vendi po bën përpjekje maksimale, vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.Ndërkaq, njohësja e integrimeve evropiane, ish-diplomatja Alma Lama, vlerëson se presidenca irlandeze përbën një zhvillim pozitiv për Kosovën, duke pasur parasysh mbështetjen që Irlanda i ka dhënë vazhdimisht shtetësisë së saj.
Pavarësisht kësaj, ajo shton se politika e zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor mbetet e pandryshuar dhe përparimi i secilit shtet do të varet nga përmbushja e standardeve dhe reformave, e jo nga ndonjë qasje favorizuese.
Nën moton "Strength With Unity" (Forcë përmes unitetit), Dublini ka vendosur zgjerimin e BE-së ndër prioritetet kryesore të mandatit të tij. Irlanda synon të çojë përpara negociatat me vendet kandidate, duke punuar për përfundimin e bisedimeve me Malin e Zi dhe për avancimin e negociatave me Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën, krahas vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.
Lajmi i plotë në sistemin me parapapagim...