Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar memorandumet e bashkëpunimit me federatat sportive të vendit, duke zyrtarizuar mbështetjen financiare vjetore për to. Megjithëse e mirëpresin këtë ndihmë si thelbësore, drejtuesit e disa prej federatave kryesore theksojnë se për arritjen e objektivave dhe organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare, nevojiten investime edhe më të mëdha.
Kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, e cilësoi mbështetjen si “substanciale dhe të mirë”. Megjithatë, ai shtoi se duke marrë parasysh shtrirjen e sportit të hendbollit dhe projektet e shumta, përfshirë organizimin e kampionateve evropiane dhe botërore, federata ka nevojë për përkrahje shtesë.
Edhe nga Federata e Karatesë, e dyta në renditje sipas kategorizimit, bashkëpunimi me ministrinë vlerësohet si jetik për organizimin e garave. Kreu i kësaj federate, Besar Baruti, bëri të ditur se mbështetja për këtë vit është rritur krahasuar me vitin e kaluar, gjë që pritet të reflektohet në rezultate më të mira.
“Pa këto marrëveshje të bashkëpunimit, edhe ecuria e organizimit të garave bëhet më problematike, pasi mbështetësi kryesor i Federatës së Karatesë është Ministria e Sportit. Gjithashtu dhe sponsorët. Dhe pa këto mbështetje nuk do të mundeshim t'i realizojmë këto rezultate që kemi pasur vitet e kaluara, shpresojmë edhe këtë vit...Nevojitet edhe më shumë, po sipas mundësive. Ne këtë vit kemi qenë federata e dytë e kategorizuar, edhe mbështetja është më e madhe se vitin e kaluar, po shpresojmë që kjo rritje do të ndikojë edhe në rritjen e rezultateve”, deklaroi Baruti.Kreu i kësaj federate, Avni Nuha tha se kanë qenë në një kolaps financiar.
“Kemi qenë në një kolaps financiar, i cili është grumbulluar që katër muaj gati dhe kemi hyrë në borxhe. Mirëpo ne më në fund e nënshkruam këtë marrëveshje, memorandumi dhe i falënderoj të gjithë dhe tash është rruga që ne si federatë të ecim përpara dhe na presin shumë sfida të mëdha për vitin 2026...Federata e Çiklizmit ka pasur 39 pikë, kurse këtë vit i ka 51 pikë e gjysmë. Do të thotë është bërë një punë e jashtëzakonshme, presim që të rritet, presim që të marrim edhe medalje dhe pastaj të rritet shuma financiare. Do të thotë punon, ke, nuk punon, nuk ke, dhe ne do të jemi të gatshëm që të punojmë gjithmonë me media, me ministrinë, me sponsorët tanë dhe t'ia arrijmë qëllimin ku e kemi për këtë rini”, tha Nuha.