Australia do të ndalojë importet e cigareve elektronike nga janari, në një përpjekje për të frenuar varësinë nga nikotina tek fëmijët.
Do të futen gjithashtu ligje të reja për të ndaluar prodhimin, reklamimin dhe furnizimin e cigareve elektronike në vend, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
Cigaret elektronike, apo e-cigaret, janë pajisje me bateri litiumi që janë të mbushura me lëngje që përmbajnë nikotinë, aromatizues artificialë dhe një sërë kimikatesh të tjera.
Ka qenë e paligjshme për çdo australian të blejë ose importojë cigare elektronike pa recetën e mjekut që nga viti 2021, por pavarësisht këtyre kufizimeve, shkalla e varësisë ka vazhduar të rritet.
Ekspertët kanë paralajmëruar se ende nuk dihet mjaftueshëm për ndikimet afatgjata të tyre.
Hulumtimet nga Universiteti Johns Hopkins e kanë lidhur këtë praktikë me sëmundjet kronike të mushkërive dhe astmën.