Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konfirmuar se në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka pasur shkelje për tregtimin e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.
KEK-u gjatë vitit 2022 për sasinë e njëjtë të energjisë elektrike të blerë ka paguar kosto më të lartë financiare në krahasim me atë që do të paguhej nëse do të pranoheshin ofertat fillestare të shitjes së rrymës.Sipas të gjeturave të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), KEK-u me qëllim të arritjes së çmimeve më të favorshme kishte përsëritur ankandet edhe në rastet kur ofertat ishin të vlefshme edhe pse procedura e ZRrE-së në rastet e tilla kërkon që të mos përsëritet ankandi.
“Si rezultat i përsëritjes së ankandeve, kemi identifikuar se në dy raste, kompania kishte kontraktuar çmime më të larta sesa çmimet në ankandet fillestare, po ashtu edhe në dy raste tjera kontraktimet ishin me çmime më të ulëta se sa çmimet nga ankandet fillestare. Kjo ka ndodhur për shkak se kompania kishte vlerësuar se çmimet e ankandeve fillestare nuk ishin të favorshme. Si rezultat kompania për sasinë e njëjtë të energjisë së blerë ka paguar kosto më të lartë në krahasim me atë që do paguhej nëse do pranoheshin ofertat fillestare”, thuhet në raportin e ZKA-së për KEK-un.Në raportin e ZKA-së është evidentuar po ashtu ndërprerje e pa arsyeshme e kontratave kornizë me çmime të bursës dhe nënshkrim i kontratave të reja me çmime fikse.
Sipas ZKA-së, KEK-u më 14 mars 2022, kishte ndërprerë me marrëveshje miqësore dy kontratat aktive për "Furnizimin me acid klorhidrik", për nevojat e Termocentralit Kosova A-se dhe Termocentalit Kosova B, me arsyetimin që sipas furnizuesit ishin rritur çmimet e produktit dhe kostot e transportit dhe e kishte të pamundur realizimin e këtyre kontratave në vazhdim.
“Kontrata e ndërprerë për TCA-në, në vlerë 179,025 për sasinë prej 1,200 ton (149/ton) ishte lidhur më 13 nëntor 2020 dhe kishte afat deri me 12 nëntor 2022. Në datën e ndërprerjes vlera financiare e realizuar e kontratës ishte 102,000 apo 57% e vlerës së kontraktuar ose 790 ton apo 66% e sasisë së kontraktuar”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Në datën e ndërprerjes vlera financiare e realizuar e kontratës ishte 98,772 ose 55% e vlerës së kontraktuar ose 764 ton apo 73% e sasisë së kontraktuar.
“Pas ndërprerjes së kontratave, kompania kishte zhvilluar dy herë aktivitetin e hapur të prokurimit (prill dhe maj 2022) por procedurat kishin dështuar për shkak te mos pranimit të ofertave të përgjegjshme. Me tutje, kompania kishte zhvilluar dy herë aktivitetin e prokurimit duke e përdorur procedurën e negociuar (maj, dhe qershor 2022), por nuk kishte lidhur kontrate për shkak se çmimet ishin më të larta se sa vlera e parashikuar”, bënë të ditur ZKA.
Sipas ZKA-së kjo kishte ndodhur për shkak se menaxhmenti ishte pajtuar me kërkesën e Operatorit Ekonomik për ndërprerje të kontratave për shkak të rritjes së çmimeve edhepse rritja/zvogëlimi i çmimeve ishin të parapara në kontratat kornizë.
“Ndërprerja e kontratave kornize për furnizim me acid klorhidrik kishte shkaktuar çrregullim në furnizim, emergjence dhe ka çuar në kontrata të negociuara, të cilat kanë siguruar më pak konkurrencë”, thuhet në raport.
“Kompania (KEK) më 23 dhjetor 2021 kishte lidhur kontratë në vlerë prej 248,650€ me titull "Angazhimi i ekspertëve për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulët në njësinë B2-TCB". Gjate ekzekutimit të kësaj kontrate, ekspertet e angazhuar kishin vlerësuar se duhet të kryhen punë shtesë dhe në dakordim me kompaninë këto punë ishin kryer gjate muajit janar 2022. Për këto pune shtesë kompania më 02 maj 2022 kishte pranuar faturën në vlerë 63,720€, ndërsa kontrata ishte nënshkruar më 30 qershor 2022, rreth 6 muaj pas përfundimit të punëve”, thuhet në raport. .
Kjo kontratë ishte emërtuar si "Riparimi i lopatave të dëmtuara dhe matjet e vibrimeve dhe balancim në turbinën e shtypjes së ultë në njësinë B2.Marrëveshja ishte nënshkruar me 15 shtator 2022 për marrjen e shërbimeve për periudhën prej 03 gusht deri me 02 shtator 2022. Vlen te theksohet se kompania për këtë shërbim kishte zhvilluar paraprakisht procedura të prokurimit të cilat kishin përfunduar me procese ankimore ne Organin Shqyrtues te Prokurimit (OShP).
Raporti i ZKA-së ka rezultuar me 15 rekomandime të reja për KEK-un.