Qytetarët ankohen për çmimet, a ndikoi ndalimi i mallrave serbe?
Biznes
Lexohet për: 3 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Çmimet e produkteve ushqimore janë të papërballueshme për qytetarët. Njohës të fushës së ekonomisë mendojnë se edhe vendimi qeveritar që vuri kontrolle më të rrepta në pikat kufitare me Serbinë mund të jetë shfrytëzuar nga bizneset për të rritur çmimet. Ndërsa, Oda Ekonomike kërkon inspektime me të mëdha si dhe kërkon nga qeveria që me vendimet e saj të mos i detyrojë tregtarët të rrisin çmimet.

Qytetarët ankohen për çmimet dhe kërkojnë ndihmën e shtetit pasi jetesa u është bërë e papërballueshme.

Pas rrëmbimit të tre policëve kufitarë nga autoritetet e Beogradit, Kosova vendosi për masa të shtuara në pikat kufitare me Serbinë. Kjo bëri që kamionët me targa serbe të mos kishin mundësi të hynin në Kosovë. Më pas, i njëjti vendim, i cili nuk u quajt ekonomik e tregtar por i sigurisë, u lehtësua duke lejuar kamionët me targa serbe që transportonin mallra nga vendet e tjera të hyjnë në Kosovë.

Serbia është ndër vendet me praninë më të madhe të produkteve në tregun e Kosovës, ndërsa llogaritet që brenda një dite, ky shtet eksporton mallra në Kosovë në vlerë prej një milion eurosh.

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj deklaroi për KosovaPress se vendimet e tilla nuk janë të mira dhe kanë tendencën për t’u shfrytëzuar nga bizneset për të rritur çmimet.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna tha se nuk beson që tregtarët bëjnë manipulime të tilla.

Megjithatë, ai paralajmëroi se vendimet si ky për masa të shtuara në kufi mund të sjellë ngritje të çmimeve për shkak të rritjes së kostove.

Rafuna tha se për të qenë më korrekt me qytetarët, institucionet përkatëse duhet të angazhojnë më shumë inspektorë në tregje.

Qeveria nga ana e saj kritikoi opozitën që e dërgoi Ligjin për çmimet tavan në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, pasi sipas tyre, do te zgjidhte edhe këtë shqetësim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në një përgjigje me shkrim për KosovaPress bëri të ditur se inspektorët e saj kryejnë monitorimin e tregut në baza ditore për të parandaluar abuzimet me çmime.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) paralajmëroi se do të publikojë raportin e saj “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit” më 12 korrik për muajin qershor, periudhë kjo kur filloi aplikimi për masa të shtuara në pikat kufitare me Serbinë./E.Krasniqi

https://kosovapress.com/admin/kamione-me-targa-serbe-hyjne-ne-kosove-ndalohen-vetem-ata-qe-bartin-mallra-serbe/
https://kosovapress.com/admin/thellohet-deficiti-tregtar-rritet-importi-i-mallrave-nga-serbia/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024