Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, duke thënë se është i trishtueshëm lajmi për vdekjen e Kadaresë, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njërit nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e trishtuar se sot është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare, emblema e letërsisë bashkëkohore shqipe, njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë europiane, kandidat i shumëfishtë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve ndërkombëtare, vepra e të cilit është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë të botës”, thuhet në njoftimin e ASHAK.
Kadare lindi në Gjirokastër, studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe letërsi botërore në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të mërkurën, më 3 korrik 2024 në orën 11:00, mban mbledhje komemorative në nderim të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë.
https://kosovapress.com/ndahet-nga-jeta-kolosi-i-leterise-shqiptare-ismail-kadare
https://kosovapress.com/ismail-kadare-i-sherbeu-kombit-deri-ne-frymen-e-fundit