"Varreza tumulare e Dollcit" është monografia e promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Të dhënat në këtë monografi paraqesin një studim të realizuar në verën e vitit 2021, në lokalitetin arkeologjik të njohur si Nekropoli Tumular i Dollcit. Për herë të parë kjo varrezë tumulare është evidentuar në vitin 2015 nga Shafi Gashi, arkeolog në Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Autorë të kësaj monografie janë Premtim Alaj, Sedat Baraliu dhe Bardhyl Rexhepi. Në emër të tyre ka folur Premtim Alaj, i cili theksoi se hulumtimet në terren janë realizuar për dy muaj, teksa shtoi se është i qasshëm edhe për publikun ndërkombëtar.
Këshilltarja e ministrit të Kulturës, Nora Krasniqi tha se për herë të parë kanë filluar procesin e shpronësimeve në hapësira arkeologjike. Ndërsa, recensenti Shafi Gashi tha se kjo monografi përmban gjashtë kapituj në dy gjuhë.
Instituti Arkeologjik i Kosovës ka realizuar gërmime arkeologjike për rreth dy muaj, ku është arritur të zbulohet, dokumentohet dhe shpëtohet një material i pasur arkeologjik, i cili ka konfirmuar edhe njëherë se ky lokalitet paraqet një zonë të pasur. /Sh.Pajaziti