Personat e shurdhër në Kosovë nuk arrijnë të shkruajnë e as lexojnë. Një test i fundit i shkathtësive të leximit ka zbuluar rezultate shqetësuese për nxënësit me vështirësi në dëgjim nga klasa e katërt deri në klasën e dymbëdhjetë. Studimi mbi nivelin e arritjeve akademike të nxënësve është bërë në Qendrën Burimore “Nënë Tereza”, në Prizren, i cili ka qenë i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.
Gjuhë të parë nuk kishte atë të shenjave, por si nëntë-muajshe ajo humbi dëgjimin dhe të folurit. Kimete Haziri nga Gjilani kujton fëmijërinë e saj të vështirë, teksa rrëfen se asnjëherë nuk arriti të shprehet.
Gjuhën e shenjave e mësoi nga moshatarët e saj në Qendrën Burimore në Prizren, e deri atëherë ajo pati problem të komunikojë edhe me prindërit e saj. Shkrim-leximin nuk arriti ta përvetësojë asnjëherë, por tërë jetën ajo avokoi për të drejtat e personave të shurdhër.Me ngritjen e cilësisë së edukimit do të ketë edhe mirëqenie për personat e shurdhër, thotë Nebih Cakaj, i cili është përgjegjës për sektorin e edukimit në Shoqatën Kosovare të të Shurdhërve.
Pas përfundimit të 11 viteve shkollim në Qendrën Burimore në Prizren, Cakaj shton se personat e shurdhër po e kanë të pamundur punësimin.
Drejtori i Institutit “EdGuard” Rinor Qehaja thotë se legjislacioni në fuqi garanton gjithëpërfshirje në arsimin parauniversitar, gjë që nuk po zbatohet.
Studimi mbi nivelin e arritjeve akademike të nxënësve me dëmtime në dëgjim, thotë se arsyet kryesore për këto rezultate janë mungesa e gjuhës së shenjave dhe shkathtësive pedagogjike të mësimdhënësve, mungesa e materialeve të përdorura në mësimdhënie, mungesa e angazhimit të përkthyesve dhe mungesa e gjuhës së shenjave si lëndë për nxënësit e shurdhër dhe me vështirësi në dëgjim.