Paralajmërimet e përfaqësuesve gjerman ndaj Kosovës për përjashtim nga nismat rajonale nëse nuk zhbllokohet vendimmarrja në CEFTA, po kërkohet të merret seriozisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas tyre, Procesi i Berlinit dhe bashkëpunimi rajonal nuk pranon bllokadën tregtare, andaj duhet të merret parasysh kërkesa për heqjen e masave të sigurisë ndaj mallrave serbe. Mirëpo në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje vazhdojnë të insistojnë për nevojën e mbajtjes së këtyre masave, derisa thonë se përjashtimi i Kosovës nga Procesi i Berlinit apo krijimi i ndonjë mekanizmi rajonal pa Kosovën do të nxiste përçarje ndërmjet shteteve në Ballkanin Perëndimor.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, thotë për KosovaPress, se qeveria Kurti nuk duhet të sillet me arrogancë karshi kërkesave gjermane për bashkëpunim rajonal.
Me shqetësim kërcënimin gjerman ndaj Kosovës e sheh edhe Violeta Haxholli nga KDI.
Ajo thotë për KosovaPress se Gjermania si inicuese e Procesit të Berlinit dëshiron që në samitin e radhës në muajin tetor, të ketë hapa konkret për tregun e përbashkët rajonal, andaj nuk dëshiron bllokada tregtare ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në anën tjetër, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, thotë për KosovaPress, se Sarrazin apo kushdo tjetër mund të kërcënojnë Kosovën për largim nga nismat rajonale, mirëpo një gjë e tillë është e vështirë të ndodh.
Kryeziu e cila është edhe kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, thotë se nëse krijohet një mekanizëm i ri rajonal pa Kosovën, atëherë ky nuk do të krijohet për të afruar shtetet drejt BE-së por të për të shtuar edhe më shumë përçarjen brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tyre, pas largimit të këtyre masave do të zhbllokohej organizata rajonale CEFTA, ku po ashtu do të hiqej përfaqësimi i Kosovës nga UNMIK.
Qëndrimin e njëjtë e shprehu gjatë kësaj jave edhe ministrja gjermane Evropë dhe Klimë Anna Luhrmann, gjatë qëndrimit në Kosovë.