Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin tematik “Të dhënat e Tregut të Punës sipas Komunave”, i bazuar në rezultatet e ReKos 2024.
Sipas këtij raporti, shkalla e papunësisë në Kosovë rezulton të jetë 13.9%. Nga të dhënat e publikuara, rreth dy të tretat e popullsisë (1,063,687 persona) janë në moshë pune. Prej tyre, 514,791 persona janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 548,896 konsiderohen joaktivë. Numri i të punësuarve është 443,364, ndërsa i të papunësuarve 71,427.
Një nga sfidat kryesore që theksohet në raport mbetet shkalla e lartë e jo-aktivitetit, e cila arrin në 51.6%. Kjo dukuri është më e theksuar tek femrat, me 65.4%, krahasuar me 37.8% te meshkujt.
Sa i përket strukturës së punësimit, sektorët kryesorë që dominojnë janë tregtia me 19.7%, prodhimi me 12.7%, ndërtimtaria me 9.6%, arsimi me 8.5% dhe administrata publike me 8.2%. Femrat janë të përqendruara kryesisht në tregti, arsim dhe shëndetësi, ndërsa meshkujt dominojnë në tregti, prodhim, ndërtimtari dhe shërbime.Raporti synon të ndihmojë institucionet dhe politikëbërësit në hartimin e politikave më efektive për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit në nivel lokal dhe qendror.