Panairi i Librit, Rama paralajmëron hapësira të reja për panaire, tregon edhe çka lexon
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Panairi i Librit, Rama paralajmëron hapësira të reja për panaire, tregon edhe çka lexon
rama libri1234
17/06/2026 - 15:54
Linku u kopjua

Ka nisur sot edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, i cili do të qëndrojë i hapur për pesë ditë në Pallatin e Rinisë, duke mbledhur botues, shkrimtarë dhe dashamirë të librit nga Kosova dhe rajoni.

I pranishëm në hapjen e panairit ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili në një prononcim për Kosovapress vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti kulturor dhe foli për planet për krijimin e hapësirave të reja për organizimin e panaireve në kryeqytet.

“Si çdo vit, organizimi i panairit është shumë i mirë. Ne si institucione jemi duke punuar për të krijuar edhe hapësira të tjera, pra një hapësirë edhe më të mirë për panaire. E kemi Pallatin e Rinisë si një hapësirë të mrekullueshme, por tani duhet edhe ta revitalizojmë. Shpresoj që shumë shpejt të transformohen këto hapësira ekzistuese, të renovuara, për të ofruar shërbime edhe më të mira për panaire të ndryshme”, tha Rama.

Ai shtoi se Prishtina ka nevojë edhe për objekte të reja që do t’i shërbenin aktiviteteve të tilla.

“Prishtina ka nevojë edhe për salla të tjera të reja. Në konferencën për investitorë kemi propozuar 19 projekte kapitale dhe kemi interesim nga sektori privat për bashkëinvestime me kryeqytetin. Po i shtyjmë këto procese përpara për të krijuar hapësira të reja që do t’u shërbejnë panaireve të tilla”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës flet edhe për librat që preferon të lexojë.

Rama: Lexoj kryesisht libra për psikologjinë, ndikimin e hapësirës në psikologjinë e njeriut…

“Lexoj shumë për psikologjinë, ndikimin e hapësirës në psikologjinë e njeriut, mënyrat holistike të jetesës dhe ndërlidhjen mes shkencës dhe aspektit spiritual. Më intereson ndikimi që kanë këto elemente në hapësirat publike, në vendet ku jetojmë dhe punojmë si dhe rezultati pozitiv që ato sjellin për një jetë më të shëndetshme dhe për një shoqëri më empatike”, u shpreh Rama.

Panairi i Librit në Prishtinë do të vazhdojë deri më 22 qershor, me aktivitete të shumta kulturore, promovime librash dhe takime me autorë.

Kosovapress//


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026