Gjyqtari i Kupës së Botës nga Somalia, Omar Artan, të cilit iu refuzua hyrja në Shtetet e Bashkuara, u prit nga qindra mbështetës dhe zyrtarë, të mërkurën, në Mogadishu.
Me këta rast ai deklaroi se ndalimi i hyrjes në Amerikë nuk e ka dekurajuar, teksa u zotua se do të punojë për të marrë pjesë në Botërorin e ardhshëm dhe u bëri thirrje të rinjve somalezë të jenë krenarë për vendin e tyre.
Megjithatë, të shtunën atij iu ndalua hyrja në Aeroportin Ndërkombëtar të Majamit për shkak të “shqetësimeve gjatë procesit të verifikimit”, sipas autoriteteve amerikane të doganave dhe mbrojtjes kufitare, të cilat nuk dhanë detaje të mëtejshme, njofton AP, transmeton KosovaPress.. Pas kësaj, FIFA e hoqi nga lista e gjyqtarëve të Botërorit.
Sipas Ambasadës së Somalisë në Kenia, e cila kishte përpunuar dokumentacionin, Artan kishte marrë vizën amerikane vetëm pak ditë më parë.Pas kthimit në Mogadishu, ai u prit si hero. Në aeroport e prisnin qindra qytetarë me flamuj somalezë, si dhe zyrtarë shtetërorë e përfaqësues të futbollit.
“Ju premtoj se, me ndihmën e Zotit, do të jem pjesë e Botërorit të ardhshëm”, tha Artan para turmës së mbledhur, transmeton AP, pwrcjellw KosovaPress. “Dua që populli somalez të gjejë ngushëllim në këtë dhe të mbetet i sigurt në vetvete”.
Qindra mbështetës, zyrtarë qeveritarë dhe anëtarë të komunitetit të futbollit ishin mbledhur në aeroport disa orë para mbërritjes së tij. Sapo zbriti nga avioni, Artan u rrethua nga mbështetësit, të cilët e mbështollën me flamurin kombëtar.
“Na takon të gjithëve të mbrojmë emrin e Somalisë”, tha ai. “Somalia është e jona, pavarësisht nëse është në gjendje të mirë apo të keqe. Ai flamur është i yni dhe ai pasaportë është e jona”.
Në një vend që për dekada është përballur me luftëra dhe me veprimtarinë e grupit ekstremist al-Shabab, rasti i Artanit shkaktoi zhgënjim, por njëkohësisht u kujtoi shumë njerëzve se ëndrrat mund të realizohen.
“Arritja juaj historike në këtë Kupë Bote mbetet e tillë pavarësisht gjithçkaje. Ju keni arritur majën e profesionit tuaj dhe keni frymëzuar një brez të tërë në vendin tuaj. Fakti që nuk ju lejuan të dilni në fushën që e kishit fituar me meritë nuk e ndryshon këtë”, shkroi ai në rrjetin social X.