Futbollisti i Spanjës, Lamine Yamal, i ka quajtur “të papranueshme dhe mungesë respekti” thirrjet raciste që u dëgjuan gjatë barazimit 0-0 mes Spanjës dhe Egjiptit, që u luajt të martën në Barcelonë.
Policia në Spanjë ka nisur hetime për thirrje “islamofobike dhe ksenofobike” që u dëgjuan gjatë pjesës së parë të ndeshjes në stadiumin RCDE, kua luan ekipi i La Liga-s, Espanyol, njofton BBC, përcjellë KosovaPress.
Në një reagim në rrjetet sociale, Yamal, i cili është mysliman, tha se është prekur nga thirrjet: “kërce, kërce, kush nuk kërcen është mysliman”.
“Unë jam mysliman, falë Zotit. E di që thirrjet ishin kundër ekipit kundërshtar dhe jo personale ndaj meje, por si mysliman kjo mbetet mungesë respekti dhe diçka e papranueshme,” tha ai, transmeton AA, përcjellë KosovaPress.“Futbolli është për argëtim dhe mbështetje, jo për të fyer njerëzit për atë që janë apo për atë që besojnë,” theksoi Yamal.
Federata Spanjolle e Futbollit dënoi gjithashtu këto thirrje, duke theksuar se është kundër racizmit dhe çdo forme dhune në stadiume.