Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka shprehur dyshimet se mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe bartëses së listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, mund të ketë një marrëveshje për bashkëpunim pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Haliti në “Intervista Zgjedhore”, të KosovaPress, tha se debatet dhe akuzat e fundit në mes Kurtit dhe Osmanit nuk i duken bindëse, duke shtuar se ato mund të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët elektorale.
“Shiko, ata e kanë zgjedhur vetë Vjosën për me udhëheq fushatën. Vjosa e ka përçarë një herë LDK-në. Tash është kthyer me u bashku. Në qoftë se mundet me u bashku, dhe në qoftë se munden me fitu votat, është çështje e tyre. Por unë po shoh edhe një fushatë, më shumë debat në mes VV-së edhe ish-presidentes… Më shumë, unë po shoh debate të pabesueshme. Me akuza që nuk i besoj unë, as s’i beson as qytetari. Dhe ndoshta unë mund të dyshoj që mund të ketë edhe marrëveshje për me e zhvilluar një fushatë të tillë dhe me i lënë të tjerët në margjina të debateve politike… Dhe ndoshta e kanë edhe marrëveshje që pas zgjedhjeve me u bërë bashkë prapë”, deklaroi Haliti.
Ai foli edhe për skenarët paszgjedhorë, duke thënë se Partia Demokratike e Kosovës synon t’i fitojë zgjedhjet, por paralajmëroi se mund të ketë bllokadë në procesin e konstituimit të institucioneve, veçanërisht te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.Duke folur për çështjen e presidentit të ardhshëm, Haliti u shpreh se vendi ka nevojë për një figurë që qëndron mbi palët dhe nuk shërben si “patericë” politike.
“Tani unë mendoj që edhe Albini edhe partitë e tjera e dinë se kush mund ta bëjë një detyrë të tillë. Kush mund ta kryejë, kush është i gatshëm dhe kush do të jetë president dhe jo patericë. Prandaj presidenti duhet të jetë president i Kosovës. Normalisht që duhet të bashkëpunojë patjetër me qeverinë, duhet të bashkëpunojë me institucionet e tjera dhe duhet të qëndrojë mbi palët në variantin e mirëfunksionimit të shtetit. Oferta e Albinit ka qenë e ngjashme si me luajt llotari. Sillet ti, jo ti, jo i bëjmë, e bëjmë ne presidentin, i votojmë. Ne e kemi ditur të gjithë se ai s’mundet me na mbivotu, sepse s’i ka pasur gjithë ato vota, se s’kemi pasur të dyja palët, mbasi janë bashkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i keni pasur votat”, shtoi ai.