Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha e ka zbuluar një strategji të mundshme të opozitës pas zgjedhjeve të 7 qershorit, e cila sipas tij parasheh “izolimin politik të Albin Kurtit” duke i ofruar atij postin e presidentit, me qëllim që opozita të formojë qeverinë dhe të kthejë “normalitetin” në vend.
Berisha në intervistën zgjedhore të KosovaPress thotë se rrugëdalja e vetme është që LVV-ja të bie nën 40 deputetë dhe qeverinë ta formojnë partitë e ish-opozitës, PDK, LDK dhe AAK. E më pas si zgjidhje kompromisi t’ia ofrojnë LVV-së dhe Kurtit postin e presidentit.
“Ky ka me filluar me rënë tash, po ky i ka këto shkelmat e fundit tash që po mundohet me bë kështu. Në mënyrë që me pas mundësi me krijuar qeveri. Ky do të jetë problematik, ky lloj i këtyre njerëzve që kanë mbërritur me pas një mbështetje kaq të madhe. Mirëpo, qeverinë duhet me e pas opozita kësaj radhe, me krijuar qeveri. Po presidenti është çështja dy të tretat e deputetëve? President po e bëjmë Albin Kurtin edhe e mundemi me e izoluar nëse vjen koha, se nuk ka ndonjë rol të madh presidenti, po ky nuk din me qeverisë. Ky e ka zënë peng. Populli thotë si qeni në po din. Ky as nuk han, as nuk lë kënd me u afru. Duhet me ardhur dikush në qeverisje edhe me ia nis me u kthyer normalitetit, me qeverisë. Ky dëshiron post, dëshiron me dalë me fol në bina, me përça, me kështu. Tash mbasi jemi në një fatkeqësi e kemi një njeri kështu edhe fatkeqësisht po ka përkrahje prej këtyre me komplekse, me i thënë qe ti merre presidentin”, thotë ai.
Ai kritikon ashpër qeverisjen aktuale, duke e akuzuar Kurtin për bllokim institucional, mungesë investimesh dhe përçarje politike. Berisha tha se opozita duhet të marrë përgjegjësinë për qeverisjen, pavarësisht, siç u shpreh ai, se “nuk është opozita më e mira në botë”.“Këtë e them si rrugëdalje, kjo një ndër rrugëdaljet se nuk kemi bërë ne marrëveshje, as kemi qitur nënshkrime se duhet me ndodhur kështu. Mirëpo qysh me shpëtuar prej kësaj të keqeje, se ky nëse bie nën 39 deputetë, domethënë prapë do të jetë problem puna e presidentit. Po ne çka me bërë, presidenti jo veç një titull aty edhe shkojnë si kjo Vjosa, me shku te frizerka kaq, nuk ka ndonjë punë ku me ditë çfarë, ose ndonjë rol në menaxhimin e shtetit. Është me rëndësi opozita. Nuk është opozita më e mira në botë, po veç me ia ga ose me u nis me ju kthy normalitetit, me u nis investimet se për gjashtë vjet ne edhe i kemi humbur miqtë, edhe nuk ka pasur asnjë investim të cilin kishin mundur populli me u ndihmuar më mirë”, shton Berisha.
Ai paralajmëron gjithashtu se, sipas tij, Kurti synon ta çojë vendin sërish në zgjedhje të reja në rast se nuk arrin të krijojë shumicën parlamentare.
“Nuk flitet për prag. Ne po synojmë kësaj radhe, mos e bëfshim dyfishimin e deputetëve, me i pas diku nëntë, dhjetë deputetë kësaj radhe. Dihet se çfarë periudhe të vështirë kemi kaluar, dihet ajo valë e njerëzve edhe e mashtrimit të madh edhe e propagandës edhe e përçarjes, po ne kemi qëndruar domethënë në situata shumë më të vështira. Tash shihet që është edhe më e lehtë, po depërtojmë më lehtë, njerëzit po afrohen vetë, e dinë që Aleanca është e nevojshme me qenë në Parlamentin e Kosovës si ide, si vizion dhe besoj që do të kemi një sukses tash të theksuar kësaj radhe”, përfundon Berisha. /KosovaPress/