Në kuadër të operacionit të krimeve ekonomike të Policisë “Taksisti 2023”, Policia e Kosovës të mërkurën ka arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në rastin për falsifikim parash.
“Siç jeni informuar përmes komunikatës zyrtare për media të Policisë me datën 13 prill 2023, lidhur me operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës kundër parave të falsifikuara të metalit ku ishin konfiskuar mbi dhjetë mijë euro (10,000.00), me nga dy (2) euro të dyshuara fals dhe dëshmi të tjera; “Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës shkëputin një linjë të furnizimit me para të metalta të falsifikuara duke pamundësuar përdorimin e tyre në vendin tonë, arrestohen dy persona të dyshuar, konfiskohen mijëra euro false të metalit”, sot Policia e Kosovës ka arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Dy (2) personat tjerë të dyshuar në këtë rast me iniciale (L.L. dhe R. K. ), tani më të arrestuar, ekziston dyshimi i bazuar se me veprimet e tyre dyshohen se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë”. Sot me datë 03.05.2023, dy të dyshuarit e lartcekur me iniciale janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit kompetent janë ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.