Hetuesit policor të Kryeqytetit sot kanë arrestuar një person i dyshuar për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka qenë i përfshirë në së paku shtatë raste të grabitjeve dhe tentim grabitjeve të armatosura në Prishtinë.
Sipas policisë, këto raste kanë ndodhur kohëve të fundit në kryeqytet. “Ndaj personit të dyshuar me aktvendim të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, njofton policia.
Më tej thuhet se aktualisht po vazhdon puna hetimore në koordinim edhe me Hetuesit Rajonal, për zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura për implikimin e të dyshuarit edhe në disa raste të tjera që po hetohen nga ana e policisë.
Ndërsa, një tentim grabitje ka ndodhur sot rreth orës 10:40 të mëngjesit, në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, më saktësisht mbrapa Teatrit Kombëtar, ku i dyshuari ka hy në objekt me armë, syze dhe kapelë dhe ka kërkuar nga dy punëtoret që të japin të gjitha paratë.