Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtarët e njësisë së hetimeve të përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës në bashkëpunim edhe me policinë e Aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës është arrestuar një i dyshuar për rastin vrasje e rëndë në tentativë më 17 shkurt 2024 rreth orës 19:45, në rrugën “B”. Arrestimi i K. K. (34), shtetas i Kosovës, erdhi si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të specializuara operativo-policore, në kuadrin hetimor të këtij rasti.
Përderisa policia po punon në mënyrë aktive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndaj të dyshuarit me autorizimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale vrasja e rëndë në tentativë. I njëjti me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit u dërgua në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.