Një burrë i cili dyshohej se spiunonte për Rusinë, “të paktën” që nga maji i vitit 2025, është ndaluar në Berlin, thanë prokurorët gjermanë të mërkurën, njofton dpa, përcjellë KosovaPress.
Një gjyqtar i Gjykatës Federale të Drejtësisë pritet të vendos nëse ai do të mbahet në paraburgim.
Autoritetet përkatëse pretendojnë se ai kishte përcjellë informacione mbi mbështetjen ushtarake të Gjermanisë për Ukrainën, si dhe mbi industrinë gjermane të armëve dhe mbrojtjes. Thuhet se informacioni për të cilin ai ka qenë më shumë I fokusuar ishte për kompanitë që zhvillojnë dronë dhe robotë.
I dyshuari akuzohet gjithashtu se ka dërguar në mënyrë të përsëritur fotografi të ndërtesave publike në Berlin dhe të kolonave ushtarake në autostrada, përfshirë edhe një “kolonë të një shteti të NATO-s”.Nuk ishte e qartë nëse i dyshuari ishte paguar për shërbimet e tij, por burime të sigurisë sugjerojnë, sipas raportimit të dpa, se ai me gjasë i kishte ofruar ato nga bindja personale.
Zyra Federale e Prokurorit Publik në Gjermani ka qenë prej kohësh e shqetësuar për spiunazhin rus, me disa agjentë të dyshuar të arrestuar vetëm që nga fillimi i këtij viti.
Pak kohë më pas, një burrë u arrestua në Hagen, me dyshimin se kishte spiunuar për Rusinë ndaj një ish-luftëtari të forcave të armatosura ukrainase në Gjermani.