Aleanca e qendrës së majtë e ish‑kreut të shtetit Radev ka marrë deri në 45 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme në Bullgari, sipas rezultateve paraprake. Kritikët e Radev shohin afërsi me Putinin.
Ish-presidenti, Radev i kryesonte prej javësh sondazhet. Sipas llogaritjeve paraprake, Rumen Radev dhe partia e tij e "Bullgarisë Progresive" janë fituesi të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në Bullgari me rreth 45% të votave. Tetë zgjedhje të tilla u zhvilluan në Bullgari gjatë pesë viteve të fundit. Sipas Radevit, nuk duhet të ketë së shpejti një tjetër. "Do të bëjmë gjithçka për të parandaluar që të na duhet të mbajmë sërish zgjedhje. Kjo do të thoshte të kalonim nga një krizë në tjetrën, dhe ne duhet të punojmë shumë seriozisht për t'i kapërcyer këto kriza.”
Kritikët shohin afërsi me Putinin
Radev ka qenë skeptik në të kaluarën ndaj sanksioneve kundër Rusisë dhe kundër dërgesave të armëve për Ukrainën. Në të njëjtën kohë, partia e tij, Bullgaria Progresive, e ka përfshirë në programin zgjedhor një angazhim të qartë për Bashkimin Evropian dhe NATO‑n. Në finalen e fushatës zgjedhore të Radevit, në një videoklip u shfaqën pamje nga takime të përbashkëta mes tij dhe Vladimir Putinit.Radev premtoi luftë kundër korrupsionit
Për të pasur më në fund sërish një qeveri "normale”, Radev ka njoftuar se do të veprojë qartazi kundër korrupsionit në vend. Gishti zakonisht drejtohet ndaj partisë konservatore GERB me kryeministrin afatgjatë Bojko Borisov dhe ndaj DPS‑së, partisë së oligarkut me ndikim Deljan Peevski. Të dyja kanë pësuar humbje të ndjeshme në zgjedhje dhe, sipas rezultateve, në parlamentin e ri nuk arrijnë as 80 mandate.