Njësia e antidrogës, me urdhër nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ka bastisur shtëpitë e dy personave në kryeqytet, pas informacioneve se L.K. dhe L.L., të njohur për policinë, janë duke u marrë me shitblerje të drogës në lagjen Mat.
Gjatë bastisjes dje rreth 15:00, nën asistencën e NJRSH-së, në shtëpinë e të dyshuarit L.L. janë gjetur një revole Parabellum dhe një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9 mm, revole Super Sport dhe 12 fishekë të kalibrit 9mm.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetur pesë qese të mbushura me substancë narkotike marihuanë, me peshë 1 kilogram e 503.3 gramë, dy peshore digjitale për matje të narkotikëve, 50 copë fishekë me gaz të kalibrit 9 milimetra dhe 1695 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve.
Në konsultim me prokurorin kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, i dyshuari L. K., pas intervistimit, është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë për rastin blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.Në vendngjarje ka dalë Njësia e Forenzikës Rajonale – Prishtinë, e cila ka bërë fotografimin dhe konfiskimin e dëshmive si prova materiale. Rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente në bashkëpunim me organet e drejtësisë.